Ndonëse në raportin e Ministrisë së Shëndetësisë qëndron se në Tetovë janë paraqitur 6 raste të reja me koronavirus, nga QSHP për TV21 thonë se bëhet fjalë për 8 raste me virusin korona. Shumica e tyre  janë infektuar nga kontakti me persona që veç më ishin të evidentuar si të infektuar me virusin Korona. Numri i klasterëve të rinj mendohet të jetë edhe më i madh, dhe për këtë arsye Qendra për Shëndet Publik në Tetovë ka filluar të bashkëpunojë me mjekët amë për të gjetur vatrat e reja të infeksionit.

“Gjatë ditës së sotme kemi tetë raste të reja, pesë në Komunën e Tetovës,  një në Komunën e Jegunovcës,  një në Tearcë dhe një në Bogovinë”, deklaroi dr. Zorica Zafiroska- QSHP- Tetovë.

Nga kjo qendër thonë se janë duke bërë edhe teste tek të punësuarit në çerdhe nga ku në Tetovë janë bërë gjithsej 190 teste, ndërsa në qytetin e Gostivarit janë bërë 129 teste ku vetëm një ka dalë pozitv.

“Skriningjet në çerdhe kanë përfunduar në nivelin e Komunës së Tetovës, janë bërë 190 teste dhe është realizuar për dy ditë ku janë testuar ­çerdhja” Mlladost”,  “Jabollçija” në Komunën e Jegunovcës dhe të gjitha çerdhet private dhe sot presim rezultate dhe në kuadër të Komunës së Gostivarit  janë realizuar gjithsej 129 teste nga ku kemi vetëm një rast pozitiv”, tha dr. Zorica Zafiroska- QSHP- Tetovë.

Por qyteti i Tetovës është duke funksionuar në mënyrë normale, ndërsa  edhe pse lokalet janë hapur para dy ditësh, numri i qytetarëve që i frekuentojnë është i vogël. Pronarët dhe të punësuarit në lokale thonë se distanca mes tavolinave, mbajtja e maskave dhe sidomos identifikimi i klientëve janë pengesat kryesore për funksionimin e tyre.

 “Si restorant na pengon shumë, por besoj se edhe lokaleve të tjera se kur vijnë klientët ne duhet t’i pyesim a janë familjarë dhe e shoh se u pengon, edhe ata janë të detyruar të mbajnë maska, këtu vijnë të ushqehen dhe me maskë është problem, por edhe me tavolinë duhet të ulen dy persona, shokë ose katër familjarë ose me një tavolinë një person dhe kjo na bën problem pasi duhet edhe tavolinat të kenë distancë dhe na humb shumë tavolina dhe nuk kemi beneficione në këto punë”, deklaroi Valedin Ademi – pronar restoranti.

“Është shumë palidhje t’i identifikosh, të kërkosh letërnjoftim, nuk është e drejtë është shumë palidhje, por pronarët e dinë atë më mirë. Ka humbje të klientëve, ne distancën e kemi, dezinfektimet dhe maskat i mbajmë”, tha Gordana Zravevska – e punësuar.

Edhe lokalet në qytetet e tjera kanë reaguar duke thënë se është e pamundur të identifikohen klientët se a janë të të njëjtës familje, pasi që personelet e lokaleve nuk kanë të drejtë të kërkojnë dokumente identifikimi. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi paralajmëroi se do të kërkojë që kjo masë të hiqet./TV21