Të reshurat e shiut kanë nxjerrë ujërat e zeza nga kanalizimi në lagjen 166 të Tetovës. Banorët e kësaj lagjeje thanë se sa herë kur ka të reshura të shiut nuk mund të dalin nga shtëpitë, pasi që era e kanalizimit dhe shpërndarja e ujerva të zeza i rrezikon ata nga ndonjë sëmundje infektive.

“Në lagjen 166 kur ka vërshime këtu tek ne del ujë, që vjen nga rruga lartë tek Kurtishi të gjithë lagjen tonë,  gjithë kanalizimet na hyjnë në shtëpitë tona, mund t’i shihni edhe vetë ujërat e zeza, as fëmijët s’dalin të luajnë sot. Teuta duhet të gjejë zgjidhje për këtë,  këtu do të ketë sëmundje edhe më të këqija, se kjo lagje kanalizim nuk ka.  I kemi paguar të gjithë taksat komunale, pa kanalizim jemi në këtë lagje”, tha një banor.

“Tek lagjja 166 kemi problem kur  bije shi, uji na hynë në shtëpi. Komuna nuk merr masa,  e kemi paraqitë dhe askush nuk merr masa. Nga komuna na thonë se do marrin masa dhe nuk marrin asnjë masë edhe ne s’dimë çka të bëjmë. Po frigohemi se  Covid 19 kështu vjen. Era keqe vjen, fëmijët  s’mund të dalin, as ne të mëdhenjtë s’mund të dalim kështu”, tha një tjetër banor.

Nga Ndërmarrja Publike Komunale thanë se janë të njoftuar për këtë rast, por ekipet e tyre janë duke punuar në disa lagje të tjera dhe brenda ditës do ta lajnë edhe këtë rrugë.

“Për momentin jemi duke punuar në disa lagje të tjera, jemi të njoftuar nga banorët dhe brenda ditës do të intervenojnë në këtë lagje për t’i larë rrugët dhe për të pastruar ujërat e zeza”, deklaruan nga NPK Tetova.

Sistemi i dobët i kanalizimit në qytetin e Tetovës  bën që sa herë ka të reshura të shiut të nxirren në sipërfaqe ujërat e zeza. Fatkeqësisht, një pjesë e qytetit të Tetovës akoma vazhdon të ngelet pa kanalizim, raporton TV21./21Media