Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duke konsideruar si shqetësues rritjen e rasteve me Covid-19, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që t’i respektojnë masat parandaluese.

“Në javën e fundit kishim rritje të madhe të numrit të të prekurve me virusin COVID-19. Gjendja aktuale është tejet shqetësuese dhe kërkohet kujdes maksimal nga të gjithë.Ju bëj thirrje që t’i zbatoni në mënyrë rigoroze masat për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 dhe t’i respektoni rekomandimet e institucioneve shëndetësore. Duke i zbatuar masat dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore secili qytetar ruan veten, të afërmit e tij dhe gjithë shoqërinë.”, shkroi Thaçi në Facebook.

Ai po ashtu falënderoi mjekët për punën që po bëjnë si dhe u shprehi ngushëllime familjarëve të viktimave të shkaktuara nga koronavirusi.

“Si president i vendit shpreh falënderim të madh për gjithë personelin shëndetësor, i cili po e jep maksimumin në këtë betejë të përditshme për ta shpëtuar çdo jetë njeriu. Po ashtu, u shpreh ngushëllime të sinqerta të gjitha familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre nga ky virus vdekjeprurës.” përfundoi presidenti Thaçi.

Ndërkohë, sot është vënë në diskutim mundësia e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, por për një gjë të tillë ende nuk është deklaruar presidenti.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot përmes një videokonference me kryetarët e komunave nuk e ka përjashtuar mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme me këtë trend të rritjes së të infektuarve me Covid-19.

Megjithatë, neni 131 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës që e rregullon çështjen e gjendjes së jashtëzakonshme thotë se: Presidenti i Republikës mund të shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme, kur: ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes; ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike; ka fatkeqësi natyrore, e cila prek tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij”./21Media