Serbia më 21 qershor mbajti zgjedhjet e përgjithshme, për të cilat u votua edhe në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Në tri komunat jugore të Serbisë, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për herë të parë, pesë partitë shqiptare garuan në një listë të përbashkët.

Lidhur më këtë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh se bashkimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës e dha rezultatin e tij, shkruan rtv21.tv.

“Ata tashmë do të kenë më shumë deputetë që do ta ngrehin zërin për të drejtat e shqiptarëve atje. Bashkërendimi i veprimeve politike jep gjithmonë rezultate dhe  Alternativa Demokratike Shqiptare është shembull i mirë për t’u ndjekur nga bashkëkombësit tanë kudo që jetojnë”, ka shkruar Thaçi.

Sipas rezultatit të deritanishëm, në Kuvendin e Serbisë partia e Vuçiqit do të ketë 189 deputetë, ajo e Daçiqit 32 deputetë, ndërsa e shqiptarëve 3 deputetë.

Sipas zyrtarëve zgjedhor në zgjedhjet në Serbi pjesëmarrja ishte rreth 49 për qind, prej 6,6 milionë qytetarëve me të drejtë vote. Kjo është dalje më e ulët, krahasuar me zgjedhjet e mbajtura më 2016, ku pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 56,7 për qind./21Media