"Viti 1981 shënon kthesën përfundimtare..."

“Viti 1981 shënon kthesën përfundimtare…”

Kreu i shtetit, Hashim Thaçi duke kujtuar demonstratat e vitit ’81, ka thënë se me këtë demonstratë filloi një fazë e re historike. Sipas tij, ky vit shënon kthesë përfundimtare të orientimit të kërkesave politike për avansimin e statusit politik të Kosovës.

“Pas demonstratave të vitit 1968, që shprehën hapur kërkesën për ngritjen e statusit të Kosovës në nivel të republikës, më 11 mars 1981 filloi një fazë e re historike. Demonstrata e filluar nga studentët e Universitetit të Kosovës u shndërrua në vullnet dhe kërkesë gjithëpopullore për Republikën e Kosovës. Viti 1981 shënon kthesën përfundimtare të orientimit të kërkesave politike për avansimin e statusit politik të Kosovës, që pas përpjekjeve dhe sakrificave u kurorëzua me çlirimin dhe pavarësinë Kosovës.”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Protesta spontane e studentëve të Kosovës, të cilat u mbajtën në Prishtinë më 4 mars 1981 për kushte më të mira në mensën e studentëve, e cila ishte shtypur me dhunë nga policia, shkaktoi demonstratën e organizuar të studentëve më 11 mars, e cila po ashtu u shtyp me dhunë dhe u paraburgosën disa studentë. Më këtë fillon edhe zinxhiri i demonstratave të ’81-ës.

Si pasojë rrjedhin tubimet e njohura si “Demonstratat e Punëtorëve”, në të cilat punëtorët kërkonin lirimin e studentëve të burgosur. Përsëri, organet shtetërore intervenojnë me tërë brutalitetin e tyre. Gjatë këtyre tubimeve, Armata Jugosllave paraqet prezencën e saj./21Media