Sot bëhen 10 vjet që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi lidhur me këtë sot u shpreh se “asnjëherë nuk kishim dyshime për të drejtën historike, që të jetojmë të lirë në vendin tonë të pavarur dhe sovran”.

Ai përmes një postimi në “Facebook”, theksoi se Serbia pas humbjes së luftës në Kosovë, duke mos u pajtuar me këtë fakt, kishte vendosur ta dërgonte rastin e shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Ne, populli ynë, gjithmonë i kemi besuar drejtësisë ndërkombëtare, përkundër faktit që ende nuk kemi drejtësi për gjenocidin e shtetit të Serbisë të kryer mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë. I kemi besuar dhe vazhdojmë t’i besojmë drejtësisë ndërkombëtare, sepse gjithmonë ishim dhe vazhdojmë të jemi në të drejtën tonë!”, ka shkruar tutje i pari i vendit duke ia bashkangjitur edhe videon e deklaratës së Pavarësisë së Kosovës./21Media