Reagon edhe presidenti

Reagon edhe presidenti

Presidenti Hashim Thaçi i ka kërkuar urgjentisht Qeverisë së Kosovës, që të mblidhet dhe të marrë vendime në përputhje me kërkesat zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mjaft e keni cenuar lidhjen tonë speciale me SHBA-në, pa të cilën nuk do ta kishim as lirinë, as shtetin dhe as të ardhmen. Me këtë qasje po vihet në pikëpyetje edhe vetë e ardhmja e shtetit tonë”, shkroi Thaçi në Facebook.

Presidenti i rikujtoi krerëve institucionesh, liderëve politikë se të gjithë, përfshirë dhe veten, janë të zëvendësueshëm. Por, sipas tij, jetike dhe të pazëvendësueshme për Republikën e Kosovës janë vetëm raportet me SHBA-në.

Konfrontimi me SHBA-në është shumë i dëmshëm dhe një gabim i pafalshëm në historinë moderne të Kosovës” përfundoi Thaçi.

Ky reagim i presidentit të vendit vjen pas deklaratave të senatorit amerikan David Perdue, që taksa të hiqet, në të kundërtën ka kërkuar nga SHBA ta shqyrtojë praninë e saj në Kosovë. Kjo deklaratë u mbështet nga i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, si dhe djali i Trump-it, Donal Trump Jr.

I shqetësuar me deklaratat e amerikanëve u shpreh të jetë edhe kreu i opozitës, Kadri Veseli.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka propozuar që më 15 mars të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, si shenjë  e gatishmërisë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë. Por, ky propozim nuk mori përkrahjen e mbështetjen e SHBA-ve. /21Media