Thaçi theksoi se duhet të merren masa emergjente për ta shpëtuar dhe konservuar Kompleksin “Adem Jashari”

Thaçi theksoi se duhet të merren masa emergjente për ta shpëtuar dhe konservuar Kompleksin “Adem Jashari”

Është mjerim që shumica e atyre që qeverisën në Kosovën e pasluftës edhe pse u thirrën në emër të familjes Jashari, lejuan që Kompleksi Memorial “Adem Jashari” të vijë në një gjendje që të rrezikohet tërësisht.

Kështu tha në një intervistë për KP, iniciuesi i peticionit “Për shpëtimin dhe ruajtjen e Kompleksit të Familjes Jashari”, Jusuf Thaçi, sipas të cilit situata bëhet edhe më e keqe kur dihet se qysh nga shpallja e pavarësisë,  kompetencat për ta ruajtur, shpëtuar dhe konservuar këtë kompleks janë në kuadër të institucioneve të Kosovës.

Thaçi foli për gjendjen aktuale në të cilën ndodhet Kompleksi “Adem Jashari”, derisa theksoi se duhet të merren masa emergjente për ta shpëtuar dhe konservuar atë.

Sipas tij, janë një mori hapash që mund të ndërmerren edhe pa ndryshime ligjore, porse kjo e fundit mbetet tejet e rëndësishme për konservimin afatgjatë të Kompleksit Memorial Jashari.

Thaçi tha fakti se një pjesë e buxhetit të ndarë për Kompleksin e Familjes Jashari është kthyer ne suficit, ndërsa një pjesë tjetër është  ridestinuar, ndërkohë që gjendja e këtij kompleksi mbetet alarmante dhe sipas tij dëshmon për paaftësinë e menaxhimit të mjeteve nga ana e institucioneve përkatëse.

Sipas Thaçit, komuna e Skenderajt ka buxhet të vogël dhe derisa Kompleksi i Familjes Jashari është pasuri shtetërore, si i tillë është dashtë të jetë nën mbrojtjen e institucioneve qendrore.

Ndërkaq, tha se nuk do të ndalen së aktualizuari këtë çështje derisa institucionet e Kosovës të marrin të gjitha masat e nevojshme për shpëtimin, ruajtjen dhe konservimin e këtij kompleksi.

Ndryshe, Komisioni Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor i Kuvendit të Republikës së Kosovës të premten procedoi për në qeveri projekt-ligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, i cili së shpejti pritet t’i kalojë procedurat në qeveri e dhe pastaj të miratohet nga Kuvendi i Kosovës.

Teksa vet iniciuesi i peticionit për shpëtimin e këtij Kompleksi, Jusuf Thaçi njoftoi përmes rrjeteve sociale se ky problem është drejt zgjidhjes.