Thaçi ka vizituar edhe laboratorët e teknologjisë HighTech dhe laboratorët e tjerë të Universitetit të Kozencës

Thaçi ka vizituar edhe laboratorët e teknologjisë HighTech dhe laboratorët e tjerë të Universitetit të Kozencës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë vizitës në Universitetin e Kozencës në Itali, ka thënë se Kosova gjithmonë ka qenë e gatshme që në forma të ndryshme t’i mbështesë vendbanimet dhe kulturën arbëreshe.

Ai gjatë takimit me rektorin e këtij universiteti, Gino Mirocle Crisci, është njoftuar nga ky i fundit me punën e institucionit, duke përfshirë në mënyrë të veçantë kontributin e departamentit të albanologjisë.

“Në këtë universitet studiojnë edhe të rinj nga Kosova”, tha rektori Crisci.

Ndërsa, profesori Françesko Altimari prezantoi të arriturat albanologjike, duke u ndalur me theks të veçantë te botimet e shumta të trashëgimisë letrare arbëreshe.

Duke i përgëzuar për të arriturat e universitetit, presidenti Thaçi theksoi se ndjehet krenar për mënyrën se si studiohet, botohet dhe ruhet trashëgimia letrare dhe kulturore arbëreshe.

“Për ta mbajtur të pashkëputur lidhjen tonë, Kosova gjithmonë ka qenë e gatshme që në forma të ndryshme t’i mbështesë vendbanimet dhe kulturën arbëreshe”, ka thënë presidenti Thaçi.

Thaçi me profesorët e Universitetit të Kozencës ka diskutuar edhe për organizimin e projekteve të përbashkëta kulturore dhe albanologjike, si konferenca, seminare dhe kongrese në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.

Gjithashtu, presidenti Thaçi ka vizituar edhe laboratorët e teknologjisë HighTech dhe laboratorët e tjerë të Universitetit të Kozencës, të cilët kontribuojnë në ngritjen e kompanive prodhuese.

Thaçi me këtë rast ka thënë se implementimi i marrëveshjes mes Universitetit të Prishtinës dhe atij të Kozencës i hap perspektivë talentëve të Kosovës në këtë fushë me perspektivë globale.