Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas protestave të fundit kundër ndërtimit të xhamisë në Prishtinë.

Ai me anë të një postimi në Facebook është shprehur krenar që së bashku me presidentin Rugova dhe komunitetin e krishterë kanë vënë gurthemelin e katedrales në Prishtinë, gjithashtu është shprehur krenar që së bashku me presidenten Jahjaga dhe komunitetin mysliman kanë vënë gurthemelin e xhamisë në Prishtinë.

“Kosova është shembulli më i mirë, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë për tolerancën dhe bashkëjetesën e shkëlqyer ndërfetare, shekuj me radhë.”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij.

Ai ka shtuar se askush nuk duhet të ndjehet i fyer, i anashkaluar apo i privilegjuar mbi baza fetare në shtetin tonë modern.

Thaçi ka theksuar se protesta dhe shprehja e pakënaqësisë janë vlera demokratike në shoqërinë tonë, por ato asnjëherë nuk duhet të shërbejnë për nxitjen e urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike./21Media