Prej disa ditësh të dhënat që po publikon Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) flasin për numrin e madh të të infektuarëve me virusin Covid-19.

Pikërisht me qëllim të parandalimit të përhapjes së këtij virusi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në datën 14 mars kishte marrë vendim për shtyrjen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës, të cilat do të mbaheshin një ditë më pas, 15 mars. Vendimi në fjalë kishte ardhur pas kërkesës së KQZ-së për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve, sepse në të njëjtën ditë, IKShPK-ja i kishte rekomanduar pezullimin e këtyre zgjedhjeve me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë.

Vendimi i Presidentit Thaçi për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij vendimi.

Presidenti Thaçi ka konkluduar se përmes shtyrjes së këtyre zgjedhjeve “ka vepruar në kuadër të kompetencave të tij të përcaktuara me Kushtetutë dhe me legjislacionin në fuqi”, si dhe “ka vepruar në të mirën publike dhe të interesit të qytetarëve, në mbrojtje të shëndetit publik dhe vlerave kushtetutese të Republikës së Kosovës, me qëllim të shmangies dhe parandalimit të përhapjes së COVID-19, duke pasur për prioritet shëndetin e qytetarëve dhe përballjen me pandeminë COVID-19”.

Në përmbledhjen e fakteve, Presidenti i vendit, ka treguar se ka marrë këtë vendim pas kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (14 mars 2020) që të pezullohen përkohësisht këto zgjedhje me qëllim të parandalimit të përhapjes së COVID-19. Kjo kërkesë e KQZ-së ishte bërë pasi që në të njëjtën ditë, IKShPK kishte rekomanduar pezullimin e tyre./kp