Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot në një konferencë për media tha se nuk di asgjë për agjendën e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, i cili pritet të vijë për vizitë në Kosovë.

Thaçi u shpreh se Lajçak do të jetë i mirëseardhur vetëm nëse e pranon qasjen që duhet të përmbyllet procesi i dialogut me njohje, shkruan rtv21.tv.

“Nuk jam informuar për agjendën dhe përmbajtjen e vizitës së Lajçakut në Kosovë. Ai duhet të kuptojë se Kosova është e pavarur dhe sovrane, nëse vjen me këtë objektivë, që duhet të përmbyllet ky proces me njohje është i mirëseardhur, çdo qasje tjetër është qasje e dështimit të plotë të tij në Kosovë dhe e Bashkimit Evropian”, tha ai.

Në anën tjetër, Avdullah Hoti theksoi se nesër do të presë në takim ndërmjetësuesin evropian. Ai tha se pas këtyre takimeve po formësohet struktura e procesit të dialogut.

“Lajçak vjen nesër në Prishtine për të prezantuar këtë qëndrim tonin. Unë kam qenë komunikim me të komplet gjatë gjithë javës së kaluar me të dhe ambasadorë të tjerë të Qunit-it. Unë besoj që ngadalë po formësohet dhe unifikohet qëndrimi i të gjithë institucioneve të Kosovës sa i përket dialogut…ne jemi të gatshëm e kemi artikuluar të qartë qëndrimin tonë si qeveri. Kam komunikuar edhe me presidentin, do të kemi të mërkurën takim edhe me shoqërinë civile. Ngadalë ne po e formësojmë komplet konjukturën e procesit të dialogut. Do të kem komunikim edhe me Kuvendin e Kosovës në këtë drejtim. Sa i përket neve jemi të gatshëm të shkojmë”, tha Hoti.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian (PPBE) për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, do të vizitojë Kosovën nga 15 deri më 18 qershor 2020, në udhëtimin e tij të parë zyrtar që nga marrja e pozitës së tij të re./21Media