Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me rastin e 21 vjetorit të çlirimit, ka kujtuar luftën e Kosovës për liri si dhe ka shprehur mirënjohje për NATO-n dhe SHBA-në.

“Liria e Kosovës është mbi të gjitha rezultat i luftës dhe sakrificës së pashembullt heroike të burrave e grave të vendit tonë. Në këtë rrugëtim historik, ndihma nga aleatët tanë në NATO është e patjetërsueshme.”, ka shkruar Thaçi.

“Lavdi të përjetshme të gjithë të rënëve. Falënderim të përjetshëm NATO-s, SHBA-së dhe gjithë partnerëve ndërkombëtarë. Mirënjohje të pakufishme të gjithë atyre që çdo ditë, me punë e përkushtim, angazhohen për integrimin dhe forcimin e shtetit dhe kombit tonë!”, ka përfunduar presidenti.

Pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë, në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë më 12 qershor të vitit 1999, në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi 1 milion shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës./21Media

Sot u bënë njëzet e një vite çlirim. Sot, Aleanca Veriatlantike i bëri njëzet e një vite prezencë në Kosovë….

Gepostet von Hashim Thaçi am Freitag, 12. Juni 2020