Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në shenjë nderimi për të burgosurit shqiptarë të vrarë para 21 vjetësh, sot vizitoi Burgun e Dubravës në komunën e Istogut.

Presidenti Thaçi, me këtë rast, para mediave tha se masakra e kryer në Dubravë është prej më çnjerëzoreve sepse është kryer ndaj të burgosurve.

“Sot jam këtu për të nderuar të gjithë të vrarët, për të respektuar të burgosurit e mbijetuar”, tha Thaçi.

Ai shtoi se janë duke punuar që drejtësia herët a vonë të dalë në dritë, por, tha se në të njëjtën kohë shprehin gjithmonë shqetësimin e një lloj amnistie nga heshtja ndërkombëtare ndaj masakrës së Dubravës dhe masakrave të tjera të kryera në Kosovë, shkruan rtv21.tv

Kujtimet e të mbijetuarve nga masakra e Dubravës, presidenti deklaroi se janë të tmerrshmet që kanë ndodhur ndonjëherë në Evropë.

Sipas tij, Serbia do të ballafaqohet me drejtësinë për gjenocidin që ka kryer në Kosovë.

21 vjet më parë në Burgun e Dubravës ishte kryer njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i krimineli, Sllobodan Milloseviq. Brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë. Masakra e Burgut të Dubravës ishte kryer prej datës 19 deri më 24 maj 1999. Brenda Burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve. Ende për këtë masakër nuk është dënuar askush./21Media