Thaçi para monumentit të “Heroinave”

Thaçi para monumentit të “Heroinave”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pasi bëri homazhe pranë obeliskut “Heroinat” në Prishtinë në një prononcim për media tha se nuk ka paqe pa drejtësi.

“Si shtet, si shoqëri, si popull shqiptar i Kosovës, por edhe si komb jemi duke i kaluar ditët, javët dhe muajt e përmasave të gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë. Gjenocid ky i konfirmuar dhe i njohur botërisht, duke pasur mbështetjen e tërë bashkësisë ndërkombëtare të NATO-s për ndaljen e spastrimit etnik”, tha Thaçi.

Ai u shpreh se po kalojmë periudhën e 20 vjetorit dëbimit masiv të 1 milionë kosovarëve, vrasjeve dhe masakrave, shkruan rtv21.tv.

Në tërë këtë përpjekje për liri, pavarësi dhe shtet kontributi i gruas sipas Thaçit ka qenë jetik dhe vendimtar për mobilizimin e njerëzve për krijimin e kohezionit gjithëpopullor.

Presidenti përsëriti se ende nuk ka drejtësi për këto krime duke theksuar se kjo heshtje ndërkombëtare në një formë e ka amnistu gjenocidin serb në Kosovë. “Nuk ka kohë dhe nuk do të ketë faktor që do të mund të amnistojë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë”, tha ai.

I pari i vendit tha se “nuk ka paqe pa drejtësi”./21Media