Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në Ditën Botërore të Refugjatëve, ka kujtuar spastrimin etnik, ku forcat policore dhe ushtarake serbe dëbuan dhunshëm mbi 1 milion shqiptarë nga shtëpitë e tyre.

Thaçi ka shkruar se sot kujtohet e kaluar jonë e hidhur.

“Jemi krenarë që i përballuam me dinjitet ato vite të vështira dhe përherë do u jemi mirënjohës të gjithë atyre që na mbështetën dhe na u gjenden pranë. Si popull e dimë më së miri sa vështirë është të largohesh nga atdheu, prandaj sot solidarizohemi me të gjithë ata që janë refugjatë nëpër botë. Në këtë ditë simbolike kujtojmë edhe qershorin e vitit 1999 kur qytetarët tanë u kthyen masivisht në atdheun e çliruar. Atdhedashuria e madhe e tyre ishte dëshmi e forcës së popullit dhe kombit tonë për t’u rimëkëmbur, duke nisur gjithçka nga fillimi”, ka shkruar ai.

Dita Botërore e Refugjatëve synon të tërheq vërejtjen për vuajtjet e dhjetëra milionë refugjatëve në mbarë botën.

Të dhënat e fundit e Organizatës së Kombeve të bashkuara tregojnë se mbi 70 milionë njerëz kanë ikur nga vendet e tyre për shkak të luftërave në mbarë botën./21Media