I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak sot vjen në Kosovë, lidhur me vizitën e tij ka folur edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Ai tha se nëse Lajçak ka diçka konkrete dhe jo vetëm për të hulumtuar terren, nuk ka arsye për të mos u takuar. “Nëse është vetëm për të hulumtuar teren, Kosova është e hulumtuar tash e 20 vite, ne kemi nevojë për hapa konkret”, tha Thaçi në një konferencë për media.

Thaçi tha se Lajçak duhet të jetë i qartë në dy gjëra: për liberalizimin e vizave-çfarë qëndrimi kanë shtetet anëtare dhe si do ta trajtojë Kosovën. “Nëse e trajton Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran ashtu siç është dhe e ka njohur bota demokratike, nëse jo atëherë është një mision jo i sukseshëm”, përfundoi Thaçi.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak sot ka bërë të ditur se është nisur nga Zvicra për në Prishtinë.

Lajçak do të takohet me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në ora 17:45 si dhe me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti në ndertesën e Qeverisë së Kosovës në ora 18:30./21Media