Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka mbërritur në selinë e Gjykatës Speciale në Hagë për intervistim nga prokurorët.

Në një prononcim për media, Thaçi tha se beson te drejtësia dhe e vërteta dhe ky ishte çmimi i lirisë që duhet ta paguajë.

“Sot jam këtu për të respektuar ëndrrën për të cilën kam luftuar, për një Kosovë të lirë dhe të pavarur, për të drejta të barabarta, si dhe sundim të ligjit. Jam gati të përballem me sfidën e re dhe të dal fitues, për birin tim, familjen time, popullin tim dhe vendin tim”, tha Thaçi.

I pari i Kosovës nga Haga u shpreh se askush nuk mund të rishkruajë historinë, ky është çmimi i lirisë, shkruan rtv21.tv.

“Unë besoj në paqe, të vërtetën, pajtimin dhe drejtësinë. Unë besoj në dialog, dhe në marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët. Kosova është histori suksesi, jamë shumë krenar. Destinacioni i Kosovës është të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe të mbetet në shoqëri ndërkombëtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh tutje Thaçi.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura./21Media