Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot ka përkujtuar masakrën e kryer në burgun e Dubravës ku para 21 vjetësh forcat policore dhe ushtarake serbe vranë të burgosurit shqiptarë.

“Masakra e Dubravës është shembulli më tipik se deri në çfarë niveli çnjerëzor shteti serb i Millosheviqit zbatoi doktrinën e tokës së djegur në Kosovë, planin e spastrimit etnik, masakrat kudo nëpër Kosovë, dhunimet, vrasjen e fëmijëve dhe dëbimin e më shumë se gjysmës së popullatës shqiptare”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij “Facebook”.

I pari i Kosovës tutje ka shkruar se edhe sot e kësaj dite ende nuk kanë dolur para drejtësisë vendore ose ndërkombëtare autorët e krimeve.

21 vjet më parë, brenda burgut të Dubravës u vranë 160 të burgosur shqiptarë dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë. Kjo masakër zgjati disa ditë, përkatësisht nga 19 deri më 24 maj 1999./21Media