Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sonte në orën 20:00 do t’u drejtohet qytetarëve të vendit me një fjalim nga zyra e tij, pasi Gjykata Speciale në Hagë publikoi propozim-aktakuzën kundër tij.

Fjalimi i kreut të vendit ishte paralajmëruar për të dielën mbrëma, por ishte shtyrë për sot, pa dhënë asnjë arsye.

Zyra e Presidencës në njoftimin e djeshëm nuk ka dhënë detaje rreth fjalimit, i cili do të jetë deklarimi i parë i Thaçi pas propozim-aktakuzës për kinse krime lufte.

Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 qershor ka dorëzuar një aktakuzë në Gjykatë Speciale kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Liderit të PDK-së, Kadri Veseli dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë. Thaçi, Veseli dhe të tjerët akuzohen për disa krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje të paligjshme, zhdukje me detyrim të njerëzve, përndjekje dhe tortura. Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afro 100 vrasje të paligjshme./21Media