Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur 29 nëntor 2020 datën kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës dhe për Kryetar në Komunën e Mitrovicës së Veriut.

Presidenti Thaçi e ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në Komunën e Podujevës dhe në atë të Mitrovicës së Veriut në përputhje me vendimet dhe ligjin në fuqi.“Në dy vendimet e presidentit Thaçi theksohet se organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Podujevës dhe për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut duhet të bëhet në koordinim dhe bashkërendim me institucionet përkatëse, në pajtim me Ligjin Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Kujtojmë që Thaçi kishte shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës dhe në Komunën e Mitrovicës së Veriut, me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19. Emërimi i Agim Veliut si ministër në Qeverinë Kurti në muajin shkurt të këtij viti, e i Goran Rakiqit zv/kryeministër në Qeverinë Hoti në qershor të po këtij viti, i kishte lënë Podujevën dhe Mitrovicën e Veriut pa kryetar./21Media