Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi pritet sot të intervistohet si i ftuar nga Prokuroria Speciale në Hagë.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Thaçi e Veseli kanë hedhur poshtë akuzat duke thënë se ligjin e vetëm që ata e kanë shkelur ka qenë ai i kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq, i cili është përgjegjës për vrasjen dhe zhdukjen e mijëra shqiptarëve të pafajshëm gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Përmbajtja e aktakuzave është konfidenciale derisa gjyqtari t’i konfirmojë ato.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat./21Media