Thaçi u uroi qytetarëve Ditën e Kushtetutës

Thaçi u uroi qytetarëve Ditën e Kushtetutës

Presidenti Hashim Thaçi sot u shpreh se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, aprovimi i Kushtetutës së Kosovës, më 9 prill 2008, si akti më i lartë juridik, ishte e arritur tjetër për Kosovën.

Thaçi përmes një postimi në facebook u shpreh që është obligim që secili qytetar ta respektojë Kushtetutën.

“Kushtetuta e Kosovës, që shpreh më së miri qenësinë e shtetit dhe shoqërisë sonë, është dokumenti më prestigjioz i ruajtjes dhe mbrojtjes së integritetit të qytetarëve tanë, të institucioneve tona, prandaj të gjithë e kemi për obligim moral dhe ligjor ta respektojmë me përpikëri. Gjithë qytetarëve të Kosovës u shpreh urimet më të mira në Ditën e Kushtetutës!”, shkroi Thaçi në facebook.

Sot bëhen 12 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës është ratifikuar më 9 prill 2008 dhe ka hyrë në fuqi më 15 qershor 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit./21Media