Qeveria e Kosovës sot ka shfuqizuar vendimet përmes së cilave është vendosur masa e reciprocitetit me Serbinë.

Këtë vendim e mirëpriti presidenti i vendit, Hashim Thaçi, duke thënë se tani presioni ndërkombëtar duhet të drejtohet nga Serbia që sa më shpejt të fillojë dialogu.

“E mirëpres vendimin e sotëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës për heqjen e të gjitha barrierave, që Serbia deri më sot i ka përdorur si pretekst për bllokimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Tani presioni ndërkombëtar duhet të drejtohet nga Serbia me qëllim që pa humbur kohë të rifillojë dialogu, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve”, ka shkruar Thaçi në “Facebook”.

Ekzekutivi sot ka shfuqizuar vendimin e datës 20 mars 2020 të qeverisë së kaluar Kurti për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë dhe vendimin e datës 30 maj 2020, për plotësim ndryshimin e vendimit të parë për këtë masë./21Media