Kreu i shtetit, Hashim Thaçi ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit. Thaçi në një shkrim në Facebook u shpreh se kjo festë është gëzim i përbashkët dhe vazhdim i bujarisë dhe bamirësisë ndërnjerëzore.

“Besimtarët myslimanë sot e kanë ditën e fundit të agjërimit dhe e përfundojnë muajin e Ramazanit. Ky muaj i madhërishëm sivjet ishte më ndryshe për shkak të pandemisë, por ai forcoi besimin, durimin dhe disiplinën fizike e shpirtërore te çdo besimtar.

Njëkohësisht me urimin që agjëruesve t’u jenë pranuar sakrificat dhe lutjet, besimtarëve myslimanë ua uroj Fitër Bajramin, i cili është gëzim i përbashkët dhe vazhdim i bujarisë dhe bamirësisë ndërnjerëzore.”, ka shkruar mes tjerash ai.

Mes tjerash, Thaçi ka apeluar qytetarët të shmangin vizitat familjare për Bajram.

“Rreziku nga pandemia ende nuk ka kaluar, prandaj u bëj thirrje që në këto ditë feste të shmangen vizitat tradicionale te njëri-tjetri, sepse vetëm disiplinë dhe kujdes të shtuar mund t’i gëzohemi së shpejti edhe tejkalimit të kësaj situate.”, ka shkruar kreu i shtetit në Facebook./21Media