Në kuvendin e Kosovës sot është votuar Qeveria Hoti. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me këtë rast i ka përgëzuar deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për votimin e Qeverisë së re.

Ai ka thënë se sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë  dhe për qytetarët e vendit.

‘’Qeverisë së re i uroj sukses në përmbushjen e programit qeverisës dhe i ofroj bashkëpunim të plotë në jetësimin e agjendës kombëtare dhe ndërkombëtare. Me bashkëpunim dhe koordinim ndërinstitucional mund ta rimëkëmbim ekonominë tonë dhe të lëvizim me hapa më të shpejtë drejt integrimit euroatlantik, duke e fuqizuar partneritetin me SHBA-në dhe me të gjitha shtetet mike’’, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Formimi i Qeverisë Hoti u votua me  61 vota për, ndërsa 24 kundër dhe një abstenim. Hoti do të qeverisë me kabinetin e tij të përbërë nga 4 zëvendëskryeministra dhe 16 ministra. /21Media