Thaçi: Zgjedhjet më 11 ose 18 qershor

”Do të jetë data 11 ose 18 qershor që do të bëhet publike në ditët e ardhshme”

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas shpërndarjes së legjislaturës së pestë të Kuvendit të Republikës së Kosovës sot mbajti takim konsultativ me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Nga ky takim, krerët e partive politike u shprehën që data e zgjedhjeve në Kosovë të mbahet më 11 qershor. Ndërsa, pas takimit me përfaqësues të partive politike, Presidenti Thaçi tha se ditëve të ardhshme do të caktojë datën e zgjedhjeve.

‘’Në ditët e ardhshme si president i vendit do ta caktojë datën e zgjedhjeve, tash pasi u konsultuam edhe me KQZ-në, e cila u shpreh se janë te gatshëm të fillojnë punën menjëherë, në mënyrë që të organizojmë zgjedhje të lira dhe demokratike,  do te caktojmë datën e zgjedhjeve, do të jetë data 11 ose 18 qershor që do të bëhet publike në ditët e ardhshme”, tha Thaçi.

Në takim me Thaçin kanë marrë pjesë përfaqësuesit e partive politike përveç LDK-së që udhëhiqet nga Isa Mustafa.

Ndryshe, dje Kuvendi i Kosovës votoi mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga kryeministri, Isa Mustafa, ndërsa shpërndarjen e Kuvendit, presidenti Thaçi e ka bërë përmes dekretit, i cili ka hyrë menjëherë në fuqi. Për rrëzimin e Qeverisë votuan 78 deputetë, 34 ishin kundër, ndërsa tre prej tyre abstenuan./21Media

Back to top button