Federata e Hendbollit e Kosovës mbetet e përkushtuar për ngritje të nivelit të gjithmbarshëm.

Prej prioriteteve të FHK-së sipas një njoftimi është organizimi sa më i mirë dhe ngritja e vazhdueshme e cilësisë në ekipet kombëtare të grupmoshave të reja.

Ekipet kombëtare të grupmoshave të reja janë bazë për kombëtaren A sa i takon të ardhshmes së afërt. Si te meshkujt ashtu edhe te femrat në kombëtaren A kanë avancuar shumë e shumë hendbollistë e hendbolliste që më parë kanë luajtur për grupmosha. Federata tha se janë të vendosur që këtë trend ta avancojnë.

Hendbollistët dhe hendbollistet e klubeve të vendit mbesin bazë e fuqishme për ekipet kombëtare, FHK llogaritë edhe në hendbollistë dhe hendbolliste të reja që hendbollin e mësojnë dhe e luajnë në vende të ndryshme evropiane.

“Kombinimi i lojtarëve që hendbollin e mësojnë dhe e luajnë në Kosovë dhe i atyre që e mësojnë dhe e luajnë në Evropë po del të jetë shumë i suksesshëm. Derisa për hendbollistët në vend kemi më shumë informata dhe mund të përcjellen vazhdimisht, kjo është më pak e mundshme për hendbollistët në vendet evropiane. Për këtë ne u bëjmë thirrje të gjithë hendbollistëve të rinjë që ushtrojnë e luajnë në nivel serioz në vende evropiane që të kontaktojnë FHK-në për të qenë në dispozicion për përzgjedhje eventuale në ekipet kombëtare të grupmoshave të reja. I ftojmë edhe prindërit e lojtarëve që të përfshihen në këtë proces. Ne kemi nevojë për lojtarë cilësorë dhe të talentuar, ndërsa lojtarët e rinj dhe prindërit e tyre e kanë mundësinë që të japin kontribut në aspektin sportiv për vendin e tyre e po ashtu që të bëjnë hap të rëndësishëm në karrierë duke luajtur në një kombëtare që po ngritet vazhdimisht”, ka deklaruar FHK-ja.

Sipas Federatës, përzgjedhjen në fund e bëjnë selektorët dhe shtabet teknike, por ftesa është e hapur për t’u vënën në dispozicion të Kosovës. Kjo mund të bëhet përmes emailit: [email protected], apo përmes faqeve zyrtare të FHK-së në rrjetet sociale.

Të kujtojmë që ekipet kombëtare U18 e U20 në janar të vitit 2021 kanë kampionatet evropiane e më pas verën e ardhshme edhe kombëtaret e reja të hendbollisteve. FHK-ja dhe ekipet kombëtare të saj i mirëpresin të gjithë.