Grupi i tifozëve “Forca”, të cilët mbështesin klubin futbollistik “Vushtrria” sot organizuan protestë, ku kërkuan dorëheqjen e presidentit Bajrush Kajtazi për t’ia kthyer, siç thonë ata “klubin qytetit”.

Përmes një njoftimi në “Facebook”, ky grup i tifozëve gjithashtu bëri të ditur se në protestën e dytë ndërhyri policia dhe me këtë rasta pati edhe disa arrestime.

“Fillimisht iu falënderojmë nga zemra që keni gjetë kohë të përgjigjeni ftesës sonë në një numër kaq të lartë, ku si pasojë erdhi te intervenimi i policisë (me direktiva nga lartë) duke na kërkuar që të shpërndahemi sepse gjoja jemi duke i thyer rregullat e masave antiCovid-19,

Gjatë shpërndarjes padrejtësisht pati edhe arrestime, ne jemi të bindur që krejt kjo është fushatë e orkestruar nga lartë me qëllim për të na frikësuar, por ne për asnjë çmim nuk do të zmbrapsemi, do të vazhdojmë me protesta, në qoftë se kërkesat tona nuk do të merren në konsideratë atëherë si alternativë e fundit do të jetë bllokimi i stadiumit nga ana jonë dhe nuk do të këtë asnjê aktivitet brenda stadiumit!

Prandaj kërkojmë që përgjegjësi Bajrush Kajtazi të largohet pa asnjë kusht, kërkojmë nga kryetari i komunës që sa ma shpejtë të marrë masa që klubi t’i kthehet qytetit!”, u shkrua në facebook nga tifo-grupi “FORCA”.

Klubi futbollistik “Vushtrria” garon në Ligën e Parë të Kosovës dhe momentalisht rënditet në vendin e fundit në tabelë me 11 pikë pas 14 ndeshjeve.