Tirana dhe Shkupi hapin negociatat e anëtarësimit në BE

Ka nisur dita historike për Shqipërinë e cila do të mbajë sot Konferencën e Parë Ndërqeveritare që do shënojë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Pritja e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski në Bruksel është bërë nga Presidente e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Rama ka thënë se është krenari dhe kënaqësi që sot Shqipëria ulet në tryëzën e madhe të Evropës së bashkuar për të filluar negociatat për anëtarësim.
“me kënaqësinë e me krenarinë që sot Shqipëria e të gjithëve ne, pa dallim feje, krahine, ideje, moshe a statusi social, Shqipëria e Skënderbeut, e rilindasve, e dëshmorëve të luftës, e martirëve të regjimit komunist, e studentëve të Dhjetorit ’90, Shqipëria e familjeve të zakonshme shqiptare, kudo ndodhen dhe e fëmijëve tanë kudo ku rriten me prindërit e tyre, ulet në tryezën e madhe të Europës së Bashkuar për të filluar negociatat për anëtarësimin e saj 🇦🇱❤️🇪🇺”, ka shkruar Rama në “Facebook”.
Procesi i këtyre dy vendeve ishte bllokuar për shkak të vetos së Bullgarisë ndaj Maqedonisë. E Shqipëria ishte futur në një pako me Shkupin zyrtar.
Ngërçi me Bullgarinë u zgjidh të shtunën, kur Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi propozimin francez që tejkalon mosmarrëveshjet mes këtyre dy vendeve për gjuhën dhe historinë.
Maqedonia e Veriut ka statusin e kandidates për anëtarësim në BE nga viti 2005, kurse Shqipëria nga viti 2014./21Media

Back to top button