Në ditën e tretë të protestës për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rashës nga oficeri i repartit Shqiponja, qytetarët protestuan në Tiranë duke kërkuar largimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu.

Pavarësisht se protestat nuk u shuan me largimin e Minisrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, kryeministri Edi Rama mori në krah drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, me të cilin u shfaq në spital duke vizituar policët e lënduar në tubimet e ditëve të fundit në Tiranë.

Ndërkohë, te kryeministria masat e sigurisë janë rritur në krahasim me dy ditët e para, ku forcat e rendit të shtuara në numër përdoren makinën e ujit për të mos lejuar afrimin e protestuesve.

Përplasjet vazhduan në bulevard, ndërsa më pas, protesta u zhvendos drejt Policisë së Tiranës, ndërkohë që, forcat e repartit Shqiponja dhe FNSH kryen dhjetëra shoqërime të qytetarëve në rrugë.

Pas protestës tek Drejtoria e Policisë, qytetarët u zhvendosën në zonën e Bllokut ku pati tentativa për bllokimin e rrugës, çka solli edhe përplasje me efektivat e policisë.

Në orën e tretë të protestës, policia ndoqi strategjinë e veçimit të tubuesve nga njëri-tjetri duke kryer shoqërime të tjera në rrugicat e zonës së ish-Bllokut./oranews