Tish Daija një prej kolosëve të muzikës shqiptare ka lënë pas një trashëgimi të madhe muzikore, duke filluar me kompozimin e baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera” apo këngët e muzikës qytetare si “Çik, o mori çikë”, “Ndal, bre vash”, “Me lule të bukura”, “Bjeri gajdes gajdexhi” etj.

Më 1956, Tish Daija, kishte shkuar në Moskë për të studiuar në konservatorin “Çajkovski”. Në fotografinë e  publikuar nga studiuesi Vasil Tole, shihet diploma e kompozitorit shqiptar e nësnshkruar nga njëri prej emrave më të njohur në botën e muzikës klasike, Dmitri Shostakovich.

Pas diplomimit, Daija ka shkruar një sërë veprash plot frymëzim si: “Kuartet harqesh”, suitën për fëmijë “Një ditë pikniku”, “Uvertura e fitores”, etj.

Mbas studimeve emërohet për 6 vjet në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës, ku dha një ndihmë të çmuar në fushën e artit muzikor. Në 1962 emërohet në Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve Popullore. Për afro dy dekada, si udhëheqës artistik i këtij Ansambli, dha një sërë koncertesh të suksesshme që e bënë të njohur kudo në botë. Ai shoqëroi Ansamblin në shumë vende të botës duke bërë ballafaqimin e artit tonë me artin botëror. Mbas 1980 del në profesion të lirë deri sa del në pension. Që nga viti 1962 e deri më fund të viteve 90-të ishte pedagog i jashtëm i Akademisë së Arteve. Krijimtaria e Tish Daisë është e madhe dhe e larmishme. Ai krijoi muzikë të të gjitha llojeve. Ai ka shkruar në të gjitha gjinitë muzikore si: opera, balete, simfoni, vepra instrumentale e vokale, poema, këngë popullore e të lehta, këngë për fëmijë, etj. Për të gjithë veprimtarinë e tij të madhe e të suksesshme ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit” si dhe me titullin “Profesor”.

Vdiq në Tiranë, më 3 tetor 2003.