Reshjet e mëdha të shiut që po bien pa ndërprerë gjatë ditëve të fundit kanë vërshuar shumë shtëpi banimi, lokale afariste e shumë rrugë edhe u bllokuan në disa vende të Kosovës.

Shkak i reshjeve të shiut është përmbytur edhe Komuna e Fushë Kosovës. Uji mori gjithçka para vetes në disa pjesë të kësaj komune, veturat thuajse u mbuluan të tërat nga uji.

Zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli ka treguar për KP për situatën e krijuar në këtë komunë për çka tha edhe se ekipet po verifikojnë familjet që duhet të evakuohen.

Topalli ka theksuar se situata në Fushë Kosovës është e rënduar.

“Gjendja në Fushë Kosovë po dihet tashmë edhe në gjithë Kosovën. Sigurisht është një gjendje e rëndë, vërshimet janë të paparashikuar është një situatë me të cilën pothuajse në disa pjesë ka dalë nga kontrolli dhe është krijuar një gjendje jo e mirë për qytetarët e Komunës së Fushë Kosovës e sidomos në disa vende e edhe në disa fshatra si Miradi, Bardh i Madh mes Bardh dhe fshatit Kozmin dhe fshatrave tjera. Ne po mundohemi të menaxhojmë me aq mundësi sa kemi por një sasi bukur e madhe është nga të reshurat dhe nga shtatit e lumenjve. Ne kemi ekipet në teren dhe po bëjnë identifikim e rasteve nëse të familjeve që kërkojnë për tu evakuuar e do të evakuohen. Nuk kemi një numër të saktë të familjeve që kanë këto kërkesa por gjatë ditës do të kemi të dhëna konkretet dhe sa familje kanë nevojë të largohen nga shtëpitë e tyre deri sa të qetësohet situata”, tha Topalli.

Ndërsa lidhur me menaxhimin e situatës së krijuar nga vërshimet, Topalli tha se nuk ka ndonjë mekanizëm i cili do të largonte sasinë e madhe të ujit por që tregoi se në disa vende është dashur intervenimi edhe i zjarrfikësve dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Situata është e vështirë dhe e rëndë dhe për një arsye tjetër që nuk mbahen mend gjithë këto reshje në Komunën e Fushë Kosovës por edhe me gjerë. Ne nuk kemi ndonjë mekanizëm të mirëfilltë i cili do të merret për evitimin e ujërave për largimin e sasive të mëdha të ujit. Në disa pjesë kanë intervenuar shërbimet tona me mekanizmin që kemi pastaj ka intervenuar shërbimi i zjarrfikësve dhe ai i FSK këto janë që kanë ofruar ndihmë. Por në këtë raste edhe kompania ujësjellësit duhet të jetë më aktive dhe më fleskibile dhe të intervenojë në ato zona sidomos në Fushë Kosovë që është situata e përkeqësuar”, tha Topalli.

Ndonëse komuna nuk ka kapacitetet për të gjetur strehë për familjet që do të evakuohen por megjithatë Topalli thotë se do të gjendet një vend i siguritë për strehimin e familjeve të cilat janë vërshuar nga uji.

“Komuna nuk ka kapacitetet për të strehuar ato nëpër vende të caktuar por sigurisht do të hulumtojmë mundësitë tona dhe ata do të evakuohen dhe do të vendosen në vende të sigurta”, tha ai.

Ndërkohë që reshjet e shiut kanë shkaktuar dëmet të mëdha në shumë pjesë të vendit.

E sot kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, ka vizituar sot fshatin Dobroshec të Komunës së Drenasit, një pjesë e të cilit është bllokuar, pasojë e dëmtimit të rëndë të urës nga vërshimet e ditëve të fundit.

Nga aty Hoti paralajmëroi themelimin Fondit Emergjent, për sanimin e dëmeve nga vërshimet, për t’ju dalë në ndihmë familjeve që kanë pësuar dëme materiale dhe që jetojnë në kushte të vështira./KP