Një zemër e ndalur është rikthyer sërish në jetë. Përmes transplantimit zemra e një donatoreje të vdekur u vendos në trupin Ivan Ognjanovski 54 vjeçar.

Emilija Dineva, 43 vjeçe, e humbi jetën në një aksident trafiku. Organet e saj të padëmtuara do të shpëtojnë tri jetë, sepse përveç zemrës, familja e saj i ka dhuruar edhe veshkat për dy pacientë që me vite ishin në dializë.

“Transplantimi nuk do të ishte i mundur pa një akt altruist dhe të dashurisë njerëzore, sepse familja Dinevi para ca ditësh e humbën nënën e tyre të dashur dhe bashkëshorten. Pasi u konstatua vdekje klinike u pajtuan që ta dhurojnë zemrën dhe veshkët e të ndjerës. Besoj se tani fuqishëm do të përçohet porosia te të gjithë qytetarët se sa është i rëndësishëm dhurimi i organeve dhe se si shpëton jetë”, tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.

I biri i Ivanit, i cili falë transplantimit do të vazhdojë të jetojë shprehu falenderime të mëdha e njëkohësisht edhe ngushëllime familjes Dinev. Ai tha se këto dy familje tani do t’i lidhë një zemër e përbashkët.

“Një herë dua që të shuhet dhimbja e tyre dhe dua që të njoftohemi, dua që edhe im at të jetë në gjendje që të njoftohet. Duam t’i shprehim ngushëllime dhe le ta dinë se zemra e bijës së tyre, nënës, motrës ende rrah”, tha Vasill Ognjanovski.

Transplantimi i parë nga një donatore e vdekur u bë nga Prof. Dr Sashko Jovev dhe Akademiku Zhan Mitrev së bashku me Dr. Vasil Papestiev, Dr. Marjan Shokarovski, Dr. Vangjell Zdraveski, Dr. Kujtim Xhelili, Dr. Tanja Angjusheva, Dr. Stefanija Haxhievska, Dr. Nadica Mehmedoviq, Dr.Vesna Mitashova, Dr. Jasmina Ilievska, Dr. Marija Gerakovska dhe Dr. Dimçe Sllavevski.

“Operacioni i mbrëmshëm paraqet kurorën e Kardiokirurgjisë maqedone dhe shëndetësisë në përgjithësi. Posaçërisht sikurse edhe Ministri do të falënderoj familjen e donatores që na mundësuan të shpëtojmë një jetë”, tha doktori Sashko Jovev.

Personi më i ri që ka nevojë për transplantim të zemrës ka vetëm 13 vjet, kurse më i moshuari 61 vjet. Mbi 20 njerëz kanë nevojë për transplantim të zemrës. Rreth 10 prej tyre nuk kanë asnjë lloj mbështetjeje mekanike, kurse të tjerët kanë pompa të implantuara apo zemër mekanike.

Përndryshe pacientët që morën organet u zgjodhën nga listat nacionale të pritjes për veshkë dhe zemër sipas kritereve të përcaktuara mjekësore për përshtatshmëri, të cilat i udhëheq Ministria e Shëndetësisë.

Doktorët e cilësojnë si historike këtë ditë, raporton TV21./21Media