Për shkak të masave shtrënguese, të cilat janë marrë dy muaj më parë nga Qeveria në detyrë për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, sektori transportit të udhëtarëve sikur shumë sektorë të tjerë ka pësuar humbje të mëdha.

Kryetari i Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj po kërkon nga Qeveria në detyrë lehtësim të masave për transportin e udhëtarëve pasi është kërkesë e kompanive transportuese dhe udhëtarëve.

Kreu i kësaj shoqate tha për Kp se ka marrë ankesa nga shumë kompani që në rast se nuk fillon puna e kompanive të tyre do të protestojnë, meqenëse humbjet në këtë sektor janë shumë të mëdha.

Kurtishaj po ashtu u shpreh se vetëm në transportin me autobusë janë mbi 10 mijë të punësuar, ndërsa dëmet e shkaktuara nga pandemia deri tani janë rreth 50 milionë euro.

Kryetari kësaj shoqate tha se nuk e kanë ende ndonjë datë se kur do të mund të rifillojnë punë, por sipas tij të gjitha kompanitë kanë pësuar shumë, sepse mjetet e tyre i kanë investuar në autobusë dhe riparime.

“Sektori i transportit rrugor i udhëtarëve ka humbje të mëdha, duke pasur parasysh se janë mbi 2 mijë autobusë të cilët janë jashtë vendeve të tyre të punës, gjithashtu janë mbi 500 biznese të cilat nuk janë duke ushtruar veprimtarinë e tyre edhe pas lehtësimit të masave nga COVID-19, pra bëhet fjalë për një humbje mbi 50 milionë euro deri më tash. Meqenëse akoma nuk kemi të dhëna të sakta, por sigurisht që kjo do të jetë e mundur pasi të bëhet një analizë e mirëfilltë nga të gjithë operatorët dhe të shihen për së afërmi pasojat e shkaktuara nga Covid-19”, deklaroi Kurtishaj.

Sektori i transporti, turizmit, hotelerisë është një sektor që ka të punësuar mbi 35 mijë qytetarë në sektorin privat.

Ndryshe, sektori i transportit të udhëtarëve urban dhe ndër-urban është ndaluar në mars për masat parandaluese të përhapjes së koronavirusit.