Trazirat e tifozëve, në spital 30 persona, rreth 80 huliganë kthehen në Itali

Dhjetëra persona janë lënduar nga trazirat e shkaktuara mbrëmë në Tiranë nga tifozët e Feyenoordit dhe Romës.
Mësohet se në spital gjatë mbrëmjes dhe natës janë paraqitur 30 persona të dëmtuar, nga të cilët 20 efektivë policie.
Ata kanë pasur kryesisht dëmtime të lehta. Të lënduarit janë trajtuar, observuar dhe më pas përcjellur me këshillat përkatëse.
Aktualisht në spital nuk ndodhet asnjë i lënduar.
Ndërkohë, Policia ka kthyer me traget në Itali tifozët e dhunshëm. Në orët e para të mëngjesit të sotëm janë kthyer mbrapsht rreth 80 tifozë problematikë.
Vendimi për largimin nga vendi të tifozëve problematikë ka ardhur pas akteve të dhunshme të tyre në zona të ndryshme të kryeqytetit, si një reagim i shpejtë për të siguruar një ndeshje sportive larg akteve të dhunës dhe tensionit që po karakterizon këtë ndeshje të madhe evropiane.
Mbajtja larg e elementëve të rrezikshëm është konsideruar si zgjidhje për vënien nën kontroll të situatës dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë dhe pas ndeshjes./Oranews

Back to top button