Tre anëtarë të një familje nga Kosova kanë humbur jetën në një aksident në Gjermani, rreth 50 kilometra para hyrjes në territorin e Zvicrës. Aksidenti ka ndodhur në autostradën federale 31, midis lokaliteteve Uhldingen-Mühlhofen dhe Meersburg mes një makine Audi dhe një kamion.

Për pasojë, kanë humbur jetën tre persona, anëtare të një familjeje, që gjendeshin në automobilin Audi.

Sipas familjarëve të viktimave, bëhet fjalë për një familje nga fshati Rahovicë e Ferizajt, me qëndrim në Schafhausen të Zvicrës. Ata po ktheheshin në Zvicër nga pushimet që i kishin kaluar në Kosovë.

Sipas hetimeve të para policore, makina ka rrëshqitur dhe është përplasur ballë për ballë me kamionin që po afrohej. Tre persona janë bllokuar në automjetin e aksidentit dhe është dashur të lirohen nga brigada e zjarrfikësve e cila ka përdorur pajisjet hidraulike të shpëtimit, transmeton albinfo.ch.

Një djalë 12 vjeç dhe një burrë 35 vjeçar kanë vdekur në vendin e aksidentit nga plagët e rënda të pësuara, përcjell albinfo.ch. Personi i tretë, pasagjeri 18 vjeçar ka vdekur pak më vonë në spitalin në të cilin ishte dërguar me helikopter shpëtimi. Ky, sipas burimit tonë, është djali i vëllait të 35 vjeçarit.

Gruaja rreth të tridhjetave, e 35 vjeçarit, është në gjendje kome. Një vajzë 11-vjeçare dhe shoferi i makinës Audi kanë pësuar lëndime të rënda.

Drejtuesi i kamionit është lënduar lehtë. Rruga federale është mbyllur për orë të tëra gjatë punës së shpëtimit dhe hetimeve rreth aksidentit./albinfo.ch