Është publikuar lista me të nominuarit për eventin më të madh të ndarjes së çmimeve të muzikës në Spanjë, Los40 Music Awards 2020.

Çmimet janë të ndara në tre kategori: Spanjolle, Ndërkombëtare dhe Latine.

Si gjithmonë, edhe këtë vit nuk po mungojnë këngëtarët me origjinë shqiptare, të cilët kanë famë ndërkombëtare – e që janë nominuar në disa nga kategoritë e eventit.

Dua Lipa e cila dy vjet më parë ishte prezente në Los40 Music Awards dhe rrëmbeu tri çmime, sivjet është e nominuar në katër kategori.

Artistja me prejardhje nga Shqipëria Ava Max është gjithashtu e nominuar në tri kategori, ndërsa hyrje e re për herë të parë sivjet është DJ me prejardhje nga Ferizaj, Regard.

DJ Regard ka arritur që të nominohet për çmimin “Artisti ose producenti më i mirë i zhanrit dance”, me çka ka shënuar edhe për herë të parë nominimin për një çmim internacional.

Së shpejti do të bëhet e ditur edhe data e ceremonisë së ndarjes së çmimeve si dhe performancat e gala mbrëmjes së këtij viti.