Tre të vdekur nga vrasja e dyfishtë në Majac të Podujevës, përfshirë të dyshuarën

(Lajm i përditësuar)


Ndërron jetë edhe e dyshuara për vrasjen e dyfishtë në Podujevë

Ndërron jetë edhe e dyshuara për vrasjen e dyfishtë në Majac të Podujevës, ka vdekur në QKUK.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla.

Më herët është konfirmuar edhe vdekja e 73-vjeçares e cila ishte e plagosur.

Kurse në vendin e ngjarjes, në Majac të Podujevës, të dielën kur dyshohet të ketë ndodhur rasti është gjetur edhe një person rreth moshës 40-vjeçare i vrarë në një veturë.



Rasti në Majac të Podujevës, Prokuroria: E dyshuara në gjendje të rëndë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi të dielen në fshatin Majac të Podujevës.

Sipas njoftimit dy persona kanë vdekur.

Viktimat janë identifikuar me inicialet I.B. dhe M.G., ndërsa personi i dyshuar ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Menjëherë pas marrjes së informatave, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Policisë së Kosovës, ekipet hetimore dhe prokurori i shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, të cilët kanë ndërmarrë veprimet e para hetimore.

Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, autoritetet kanë sekuestruar një armë zjarri, disa gëzhoja dhe prova të tjera materiale që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.

Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë.

Sipas hetimeve fillestare, motivi i kësaj ngjarjeje tragjike ende nuk dihet, ndërsa organet e drejtësisë kanë bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë me intensitet për ndriçimin e plotë të rastit.


Policia jep detaje për rastin në Majac të Podujevës: Viktima e parë u gjet pa shenja jete në veturë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen e mbrëmshme në fshatin Majac të Podujevës.

Në njoftim, thuhet se pasi policia ka arritur në vendin e ngjarjes, është konstatuar se një person është gjetur pa shenja jete, brenda veturës.

“Policia e Kosovës ka pranuar një informatë se në fshatin Majac të komunës së Podujevës, dyshohet që një person i cili gjendet në një veturë është pa shenja jete. Njësitë relevante policore, njësia e hetimeve dhe forenzika menjëherë janë angazhuar dhe kanë dalur në vendin e ngjarjes për tu marrë me rastin. Po ashtu janë njoftuar edhe  prokurori kompetent dhe ekipet mjekësore të cilët kan dalur në vendin e ngjarjes”.

“Bazuar në informacione dhe hetimet fillestare, në vendin e ngjarjes është hasur vetura (VW) ngjyrë e bardhë me targa lokale (01), e cila është verifikuar dhe ka dalur në pronësi të një personi mashkull kosovar nga Obiliqi. Nga ekipa mjekësore është konstatuar se personi mashkull kosovar i hasur në automjet është pa shenja jete”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se më pas dy gra janë gjetur brenda, me plagë të rënda, por kanë qenë me shenja jete, njëra ndër to ishte e dyshuara.

Referuar veprimeve dhe hetimeve intensive, është siguruar informacioni se, dyshohet që një person i gjinisë femërore është brenda në një shtëpi, posedon armë zjarri dhe nuk pranon të komunikojë me askënd, e cila paraqet rrezik jete për vetën e saj dhe për të tjerët.

“Referuar situatës, janë angazhuar Njësia Speciale Intervenuese dhe zyrtët për ndërmjetësim, të cilët kanë intervenuar brenda në shtëpi duke vënë situatën nën kontroll, ku dy persona të gjinisë femërore janë gjetur brenda, të cilat dyshohet se kanë plagë të rënda, por janë me shenja jete. Nga njësia emergjente iu është dhënë tretmani mjekësor, dhe pastaj të njëjtat nën mbikëqyrjen mjekësore dhe policore janë dërguar në qendrën spitalore. Ndërsa Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) ka bërë tërheqjen e trupit të pajetë nga vendi i ngjarjes”, ka njoftuar policia.

Ndërkaq, 73-vjeçarja e plagosur mbrëmë, rreth orës 03:35 ka vdekur në QKUK.

“Me datë 23.03.2026 rreth orës 03:35 është raportuar se viktima femër kosovar ka ndërruar jetë në QKUK, vdekjen e të cilës e ka konstatuar mjeku kujdestar”, njoftoi policia.


Rasti në Majac të Podujevës, humb jetën njëra nga gratë e plagosura

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka konfirmuar vdekjen e 68-vjeçares, e cila mbeti e plagosur mbrëmë në Majac të Podujevës nga vajza e kunatit të saj.

Përmes një njoftimi zyrtar, ShSKUK tha se pavarësisht përpjekjeve maksimale, pacientja ka vdekur në orën 03:00 pas mesnate.

“Sot, në orët e vona të mbrëmjes, në Qendrën Emergjente janë pranuar dy paciente të gjinisë femërore, njëra e lindur në vitin 1953 dhe tjetra 31-vjeçare, të sjella me autoambulancë nga Podujeva, si pasojë e lëndimeve të marra nga arma e zjarrit. Menjëherë pas pranimit, janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme emergjente. Të dy pacientet janë pranuar në gjendje shumë të rëndë dhe jo stabile, dhe janë intubuar me frymëmarrje të asistuar”.

“Njëra nga pacientet është dërguar në sallën operative, ku ekipet e Neurokirurgjisë dhe Anestezionit janë duke vazhduar trajtimin intensiv. Pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, pacientja e lindur në vitin 1953 ka ndërruar jetë në orën 03:00 pas mesnate”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, gjendja e pacientes tjetër mbetet shumë e rëndë dhe po vazhdon trajtimi intensiv nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor.


Një i vrarë, dy gra të plagosura – krejt çka dihet deri më tani për rastin në Majac të Podujevës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Majac të Podujevë, ku një 45-vjeçar nga Obiliqi dyshohet se është vrarë nga një 31-vjeçare nga Podujeva, me të cilën dyshohet se ishte në lidhje.

Bilanci i rastit është rënduar edhe më tej, pasi të plagosura rëndë kanë mbetur e dyshuara për krimin, si dhe një 73-vjeçare, e cila dyshohet se ka lidhje familjare me dorasen.

Zejnullah Gashi, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka konfirmuar vrasjen e një personi.

“E konfirmoj rastin e vrasjen së një personi në Podujevë dhe se prokurorja e rastit është duke shkuar në vendngjarje”, tha Gashi, për “Betimi për Drejtësi”.

Të plagosurat janë dërguar në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) në gjendje të rëndë shëndetësore.

Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka bërë të ditur se të dyja pacientet kanë plagë nga arma e zjarrit dhe ndodhen në gjendje kritike.

“Dy paciente të gjinisë femërore, njëra e lindur më 1953 dhe tjetra 31-vjeçare, janë sjellë nga Podujeva. Arsyeja e lëndimit është arma e zjarrit. Gjendja e tyre është shumë e rëndë dhe jostabile. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe pacientet janë të intubuara, me frymëmarrje të asistuar. Njëra është dërguar në sallë operative, ku po trajtohet nga ekipet e Neurokirurgjisë dhe Anestezionit”, ka deklaruar Syla.

Gjendja e të plagosurave mbetet shumë e rëndë, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

Back to top button