Ekaterina Trendafilova është riemëruar kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës edhe për një mandat.

Në një njoftim të Dhomave thuhet se autoriteti emërues, ambasadori Lars-Gunnar Wigemark (shef i misionit të EULEX-it në Kosovë), riemëroi gjykatësen, Ekaterina Trendafilova, edhe për katër vjet, dhe ky emërim hyn në fuqi nga data 15 dhjetor 2020.

Sipas njoftimit, kryetarja Trendafilova shprehu mirënjohjen për “besimin që i është dhënë për të vijuar t’u shërbejë Dhomave të Specializuara të Kosovës të cilat kanë hyrë në një fazë të re dhe të rëndësishme me nisjen e proceseve gjyqësore”. Tutje thuhet se Trendafilova deklaroi se ka besim që proceset do të kryhen në mënyrë të mbrojtur, të pavarur, të paanshme, të drejtë dhe efikase, në pajtim me mandatin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë krijuar pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës, në vitin 2015, të amendamentit kushtetues dhe legjislacionit për funksionalizimin e këtij institucioni gjyqësor./21Media