Veseli ka uruar minatorët për regjistrimin  e"Trepçës" si shoqëri aksionare

Veseli ka uruar minatorët për regjistrimin  e”Trepçës” si shoqëri aksionare

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli sot ka pritur në takim menaxhmentin e gjigantit metalurgjik “Trepça”, pas regjistrimit të kompanisë si shoqëri aksionare, që u bë e mundur pas miratimit të ligjit dhe statutit nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Pas takimit, Veseli ka bërë të ditur se shndërrimi në shoqëri aksionare i “Trepçës” është një hap i madh drejt rigjallërimit të plotë të potencialit të saj.

“Me Ligj e me Statut të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, tashmë Trepça është regjistruar si shoqëri aksionare. Minatorët, menaxhmenti dhe anëtarët e bordit e kanë pritur që dy dekada këtë lajm. Trepça ka qenë dhe do të mbetet e Kosovës përgjithmonë. Shndërrimi në shoqëri aksionare është një hap i madh drejt rigjallërimit të plotë të potencialit të saj. Urime minatorëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës!”, ka shkruar Veseli në facebook.

Gjiganti metalurgjik “Trepça” dje është regjistruar si kompani në bazë të ligjeve të Kosovës. Këtë e ka barë të ditur, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili me këtë rast tha se “Trepça” do të rikthehet me shkëlqimin e dikurshëm.