“Trimëria” e pushtetit me Listën Serbe mund t’i kushtojë Kosovës
Lëvizja Vetëvendosje e ka arsyetuar veprimin e kryeparlamentarit Konjufca, i cili të enjten përjashtoi deputetët e Listës Serbe. Sipas përfaqësuesve të partisë në pushtet Lista Serbe kishin ardhur me qëllim provokimi, me direktivë nga Beogradi. Por, në opozitë e cilësojnë se veprim e elektoral që shkel rregulloren e Kuvendit dhe ligjet e Kosovës. Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se veprimet e kryeparlamentarit janë gati të njëjta me veprimet e Listës Serbe të cilët po e shkelin rregulloren e Kuvendit.
Një skenë e pazakontë ndodhi mbrëmë në Kuvend, kur kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, kërkoi nga deputetet e Listës Serbe që ta lironin sallën, ndërsa deputetet e VV-së i bllokuan ulëset e tyre.
Ky veprim i kryetarit të Kuvendit dhe deputetëve të LVV-së, sipas deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti, përveç që është bërë për poena politik, përbën edhe shkelje të rregullores së Kuvendit dhe të ligjit.
“Veprimi është në dëm të kryetarit sepse në këtë rast ai e ka shkelur rregulloren e Kuvendit dhe i ka shkelur ligjet e Kosovës. Rregullorja e Kuvendit e parasheh se mandatin deputeti e humbë nëse 6 muaj nuk merr pjesë në asnjë mbledhje në Kuvend ose në komisione. Ata po e shfrytëzojnë këtë të drejtë të tyre qe ja jep rregullorja e Kuvendit. Ata po e bëjnë një lloj presioni për të bërë këtë veprim që e bëri kryetari i Kuvendit dhe unë mendoj se bëri gabim sepse ata këtë e kanë pritë. Me veprimin e kryetarit të Kuvendit, ndoshta i ka fituar do vota më shumë sesa që i ka planifikuar me atë veprim, por në planin ndërkombëtar, në planin e së drejtës ndërkombëtare dhe së drejtës së deputetit në Kuvend ai ka bërë shkelje të rregullores dhe të Kushtetutës”, tha Haliti për rtv21.
Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, i quan filma veprimet e kryetarit Konjufca dhe deputetëve të VV-së të cilët nuk lejuan pjesëmarrjen e deputetëve të Listës Serbe në Kuvend.
“Ne e dimë shumë mirë që këto janë vetëm filma të VV-së siç dinë këta zakonisht me bë. E dimë që është kohë fushate dhe me këto reagime e dimë që mund të fitojnë pikë në opinion. Por, besoj se nuk do të ndodh kjo sepse edhe qytetarët e kanë parë se sa mashtrues janë këta. Koordinimi me Listës Serbe ne e dimë që është shumë i ngushtë i VV-së”, tha Bytyqi për rtv21.
Deputeti i VV-së, Vendenis Lahu, mohon kritikat e opozitës se veprimet e tyre u bënë për përfitime elektorale. Sipas tij, ardhja e deputetëve të Listës Serbe dje në Kuvend kishte një prapavijë tjetër dhe jo vetëm sa për ta ruajtur mandatin e tyre.
“Mendoj se ata kishin ardhë për ta bërë një foto në sallën e Kuvendit me qëllim që të shpërndahet një pasqyrë jo e qartë dhe një përshtypje jo e saktë sikur LVV-ja ishte ne koordinim me Listës Serbe. Qëllimi tjetër ishte që ta paraqes skenën politke në Kosovë sikur është në dakordim me shtetin serb”, tha ai.
Deputeti Lahu pretendon se ardhja e deputetëve të Listës Serbe ishte provokim pikërisht pas sulmit në Zubin Potok.
“Ne nuk duhet të harrojmë se jemi pak ditë pas sulmit terrorist në kanalin e Iber Lepencit, sulm i cili sipas dyshimeve është i organizuar nga Radojiciq ndërkohë Lista Serbe nuk është distancuar dhe nuk e ka dënuar publikisht këtë sulm dhe ardhja e tyre ishte provokim”, tha Lahu.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, veprimi i kryetarit të Kuvendit thotë se është pothuajse i ngjashëm me veprimet e deputetëve të Listës Serbe të cilët me mos ardhjen e tyre po e shkelin rregulloren e Kuvendit.
“Fatkeqësisht mund të themi se një shkelje që është duke e bërë Lista Serbe në vazhdimësi, e njëjta pothuajse u bë edhe nga kryetari i Kuvendit Galuk Konjufca, i cili jashtë mandatit të tij dhe jashtë asaj që ia përcakton kushtetuta dhe ligjet provoj të njëjtëve të ua kufizoj një të drejtë që u ofron kushtetuta. Asnjëherë nuk duhet që shumica parlamentare pa marrë parasysh se kush është që në emër të mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjit ta shkel kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit”, tha Miftaraj.
Miftaraj thotë se ky veprim i kryetarit të Kuvendit dhe deputetëve të LVV-së mund të ketë pasoja.
“Nuk mund ta padis kryetarin Konjufca Lista Serbe, por ju e dini se mund të ketë pasoja në kuptimin se si Lista Serbe si Beogradi do ta keq shfrytëzojnë këtë rast duke promovuar se të njëjtit nuk kanë siguri dhe ju kufizohen liritë e tyre” u shpreh tutje Miftaraj.
Lista Serbe përmes një reagimi e ka quajtur disfatë për demokracinë dhe sundimin e ligjit, veprimin e kryetarit të Kuvendit. Lista Serbe e konsideron këtë si një shembull të dhunës institucionale dhe presionit ndaj popullit serb në Kosovë. Ata kanë kërkuar veprim të menjëhershëm nga bashkësia ndërkombëtare./RTV21/21Media