Presidenti amerikan Donald Trump mbrëmë është shtrirë në një spital ushtarak jashtë Washingtonit. Ai, sot në mëngjes, përmes një postimi në Twitter deklaroi se ndjehet mirë.

“Mendoj se po shkon mirë. Faleminderit të gjithëve”, shkruan Trump.

Edhe mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Sean Conley, ka thënë se presidenti Trump, “mbetet i lodhur por në gjendje të mirë” dhe njofton se “si masë paraprake” ka marrë një dozë të vetme të një trajtimi që përfshin antitrupa sintetikë kundër patogjenit.

Conley tha se zonja e parë Melania Trump është “mirë dhe ka vetëm një kollë të lehtë dhe dhimbje koke” dhe se anëtarët e tjerë të familjes Trump “janë mirë dhe kanë dalë negativ në testim” më herët gjatë ditës.

Sekretarja për shtypi e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany thotë se “me qëllimin për të treguar kujdes dhe shmangur çdo rrezik, sipas rekomandimeve të mjekut të tij dhe ekspertëve, presidenti do të punojë nga zyrat presidenciale në Walter Reed gjatë ditëve të ardhshme”.

Sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë nuk do të ketë transferim të pushtetit nga Presidenti Trump tek nënpresidenti Mike Pence.

Ndërkohë, një grup i rrethit të ngushtë të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rezultuar pozitiv me koronavirus, duke ngritur shqetësimet për një shpërthim të madh në mesin e figurave kryesore të qeverisë.

Senatorët republikanë Thom Tillis nga Karolina jugore dhe Mike Lee nga Utah, kanë rezultuar pozitivë me covid 19 dhe kanë njoftuar se do të izolohen për 10 ditë.

Të dy senatorët kishin marrë pjesë në ceremoninë e nominimit të gjykatëses Amy Coney Barret për Gjykatën Supreme që u mbajt në Shtëpinë e Bardhë.

Katër senatorë të tjerë që kanë marrë pjesë në ceremoni, kanë rezultuar negativë, ndërsa disa pjesëmarrës tjerë duke përfshirë presidentin e Universitetit Notre Dame, John Jenkins dhe ish-këshilltaren e Shtëpisë së Bardhë Kellyanne Conëay kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.

Infeksionet e reja që vijnë pas ceremonisë në Shtëpinë e Bardhë më 26 shtator, kanë ngritur dyshimet se ky tubim ka qenë shkaktar i përhapjes së koronavirusit.Zhvillimet dramatike kërcënojnë ta kthejnë muajin e fundit të fushatës zgjedhore presidenciale përmbys, duke përqendruar vëmendjen në deklaratat e mëhershme të presidentit Trump për minimizimin e një pandemie që ka vrarë më shumë se 200 mijë amerikanë dhe infektuar mbi 7 milionë.