Presidenti amerikan, Donald Trump i ka vënë veto projektligjit për shpenzime në mbrojtje, që është miratuar në Kongres këtë muaj.

Trump vazhdon të kundërshtojë dispozitat që kufizojnë mundësinë e largimit të trupave amerikane nga Afganistani dhe Evropa, si dhe që të largojë emrat e liderëve të Konfederatave nga bazat ushtarake.

Nëse Kongresi nuk e përmbys veton e presidentit – që kërkon dy të tretat e shumicës në të dyja dhomat e Kongresit – kjo do të ishte hera e parë në 60 vjet që Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare nuk kthehet në ligj.

Trump e ka konsideruar këtë akt si “dhuratë për Kinën dhe Rusinë” përmes një deklarate.

“Fatkeqësisht Akti dështon që të përfshijë masa kritike të sigurisë kombëtare, përfshin dispozita që nuk respektojnë veteranët tanë, historinë tonë ushtarake dhe bie në kundërshtim me përpjekjet e administratës sime për ta vënë Amerikën të parën në sigurinë tonë kombëtare dhe në qëndrimin për politikë të jashtme”, ka thënë ai.

Presidenti amerikan ka thënë po ashtu se pjesa e projektligjit për të kufizuar kthimin e trupave ushtarake në shtëpi “jo vetëm që është politikë e keqe, por është edhe jokushtetuese”.

Para veprimit të tij, disa këshilltarë të Trumpit i kanë thënë atij që të mos kundërshtojë projektligjin, meqë vendimi i tij mund të përmbyset në Kongres.

Trump do të lirojë pozitën e presidentit më 20 janar të vitit të ardhshëm, duke u zëvendësuar nga demokrati, Joe Biden.