Letra e presidentit amerikan, Donald Trump, përmban një afat prej 30 ditësh për OBSH-në që të angazhohet në “përmirësime thelbësore”; në të kundërtën, siç thuhet, rrezikon të humbë miliona dollarë, ashtu si edhe anëtarësinë e SHBA-së.

E adresuar te shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, letra kritikon përgjigjen e OBSH-së ndaj koronavirusit, që nga shfaqja e tij në muajin dhjetor.

Aty thuhet se OBSH-ja i ka injoruar raportet e besueshme për përhapjen e virusit në Vuhan të Kinës, në fund të vitit të kaluar, dhe se ka bërë pretendime për koronavirusin që “ishin ose të pasakta, ose mashtruese”.

Trump, muajin e kaluar, i ka pezulluar përkohësisht kontributet e SHBA-së në OBSH, duke e akuzuar atë për njëanshmëri ndaj Kinës.

Zyrtarët e OBSH-së i kanë mohuar akuzat, ndërsa Kina ka thënë se ka qenë ”transparente dhe e hapur”.

Të hënën, OBSH-ja është zotuar se do të bëjë një vlerësim të pavarur të përgjigjes së saj ndaj pandemisë së koronavirusit.

SHBA-ja është vendi më i prekur në botë nga ky virus ngjitës. Mbi 1.5 milion njerëz atje janë infektuar dhe mbi 90,000 kanë humbur jetën.

Bashkimi Evropian ka dalë në përkrahje të Organizatës Botërore të Shëndetësisë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi se do t’ia ndërpresë fondet në mënyrë të përhershme këtij institucioni.

“Bashkimi Evropian e përkrah OBSh-në në përpjekjet e saj për ta kontrolluar dhe luftuar përhapjen e Covid-19 dhe tashmë ka ofruar fonde shtesë për t’i përkrahur këto përpjekje”, tha të martën zëdhënësja e Komisionit Evropian, Virginie Battu-Henriksson.

Ajo theksoi se bashkëpunimi dhe solidariteti global përmes përpjekjeve shumëpalëshe është rruga e vetme efektive dhe e zbatueshme për ta fituar betejën kundër pandemisë./21Media