Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka kthyer faktin se SHBA-të janë vendi me më së shumti të infektuar nga koronavirusi në favor të administratës së tij.

“ Në një aspekt të caktuar, e shoh këtë si një gjë të mirë, sepse nënkupton që testimi ynë është shumë më i mirë”, tha presidenti amerikan në Shtëpinë e Bardhë.

“Kur kemi shumë raste, nuk e shoh këtë si diçka të keqe. Prijmë në raste, sepse kemi më shumë testime se të gjithë të tjerët. Prandaj, e shoh këtë si medalje nderi. Vërtet, është një medalje nderi”, shtoi ai.

Megjithatë, Komiteti Kombëtar i Partisë Demokratike i kritikoi komentet e presidentit republikan, duke thënë se 1.5 milionë rastet me Covid-19 në ShBA paraqesin një dështim të plotë të udhëheqësisë.

Ndonëse Shtetet e Bashkuara kanë testuar më së shumti persona në botë, ato nuk janë në vendin e parë për numrin mesatar të testimeve për një mijë banorë.

Në këtë aspekt, ShBA-ja është në vendin e gjashtëmbëdhjetë dhe para saj ndodhen vende si Islanda, Zelanda e Re, Rusia dhe Kanadaja./21Media