Në SHBA, shumica politike por edhe publiku amerikan po del kundër masave kufizuese shtetet aplikojnë për mbrojtje nga koronavirusi. Presidendit Donald Trump thotë se ai nuk do e izolojë sërish vendin sikur pandemia të rishfaqet në vjeshtë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që në vjeshtë vendi do të goditet nga një valë e dytë pandemike e koronavirusit.

Por presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se nëse kjo ndodh, ai nuk do e izolojë sërish vendin dhe ekonominë siç ndodhi dy muaj më parë.

Komentet e kreut të Shtëpisë së Bardhë erdhën në kohën kur 2,4 milionë amerikanë u shtuan të enjten në listën e të papunëve si pasojë e kyçjes së bizneseve dhe jetës publike.

Presidenti e krahasoi pandeminë me një vatër zjarri që brenda nëntë javëve ka lënë pa punë 38 milionë veta e ka shkaktuar vdekjen e mbi 94 mijë të tjerë.

Numri i të infektuarve me Covid ka kaluar 1,5 milion.

“Njerëzit thonë se mundësia ekziston. Ky është standard por ne do i shuajmë flakët. Nuk e dimë a do të jetë si prush apo flakë por nuk do e mbyllim më vendin tonë,” u shpreh Trump.

Ekspertët vendës kanë paralajmëruar se virusi korona mund të vazhdojë të përhapet edhe në muajt e vjeshtës dhe dimrit, por sipas tyre atëherë do të ishte më i vështirë për t’u luftuar pasi do përplasej edhe me virozat e tjera stinore.

Të 50-ta shtetet amerikane kanë nisur të rihapin ekonomitë e tyre, shpeshherë duke e kthyer këtë në një çështje politike.

Shtetet me bindje republikane deri tani janë treguar më të prira për të hequr masat kufizuese sesa ato të udhëhequra nga opozitarët demokratë.

Zyrtarët e shëndetit publik shohin me shqetësim se siç shprehet edhe presidenti Trump, politika por edhe shumica e publikut amerikan është kundër masave izoluese totale në rast të një pandemie tjetër.