Presidenti i amerikan Donald Trump, tha se policia nuk duhet të përdorë “metodën e shtrëngimit” me anë të së cilës ndalon një person duke e shtrënguar në qafë në mënyrë që ai apo ajo të dorëzohet.

Trump tha në një intervistë për Fox News më 12 qershor se në përgjithësi, kjo metodë e përdorimit të forcës duhet të ndalohet.

Mua nuk më pëlqen kjo metodë, por.. nganjëherë kur jeni duke e luftuar dikë i vetëm, është vështirë”, tha Trump.

Këto komente vijnë pasi presidenti amerikan, ka thënë se përmes një urdhri ekzekutiv do të mund të inkurajojë departamentet policore që të zbatojnë “standardet aktuale profesionale sa i përket përdorimit të forcës”, në kohën e protestave kombëtare kundër racizimit, që janë nxitur pas vdekjes së afrikano-amerikanit, George Floyd sa ka qenë në mbajtje policore.

Në SHBA, shtetet janë duke rishikuar protokollet për të bërë ndryshime në përdorimin e forcës nga ana e policisë.

Në Mineapolis, vendi ku George Floyd ndërroi jetë gjatë mbajtjes, liderët votuan njëzëri për reformat që e kthejnë policinë në “polici të komunitetit”.