Trump u ka premtuar qeveritarëve që ata do të trajtojnë vetë procesin

Trump u ka premtuar qeveritarëve që ata do të trajtojnë vetë procesin

Derisa Covid-19 vazhdon të përhapet në ShBA, Presidenti Donald Trump u ka dhënë udhëzime qeveritarëve për rihapjen e ekonomive të shtetit në muajt e ardhshëm.

Udhëzimet për “Hapjen e Amerikës përsëri” përshkruajnë tri faza, në të cilat shtetet mund të lehtësojnë gradualisht bllokimet e tyre.

“Do ta rifillojmë jetën sërish. Po fillojmë përsëri ringjalljen e jetës ekonomike, por ky do të jetë një proces gradual”, ka thënë Trump gjatë konferencës së tij të përditshme për shtyp.

Trump u ka premtuar qeveritarëve që ata do të trajtojnë vetë procesin, me ndihmën e qeverisë federale. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka sugjeruar që disa shtete mund të rihapnin këtë muaj aktivitetet ekonomike.

Tri fazat për rihapje të shteteve

Në fazën e parë, plani rekomandon ruatjen e një distance të rreptë fizike për të gjithë njerëzit ku ndodhen jashtë shtëpive të tyre. Grumbullime njerëzish më të mëdha se 10 persona duhet të shmangen si dhe sugjerohet të shmangen udhëtimet e parëndësishme.

Në fazën e dytë, njerëzit inkurajohen të maksimizojnë distancën sociale kur është e mundur dhe të kufizojnë tubimet me më shumë se 50 persona përveç rasteve kur merren masa paraprake. Udhëtimet mund të rifillojë gjatë kësaj faze.

Në fazën e tretë parashikohet një kthim në normalitet për shumicën e amerikanëve, duke u përqëndruar tek identifikimi dhe izolimi i çdo infeksioni të ri.

Ndërkohë, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi i ka quajtur udhëzimet e Presidentit Donald Trump për rihapjen e ekonomisë “të paqarta dhe jokonsistente” dhe ka thënë se duhej të bëheshin më shumë testime për koronavirusin.

Deri tani ShBA ka 654.301 raste të konfirmuara dhe 32.186 vdekje për shkak të virusit./oranews