Nga viti i ardhshëm Kosova A do të paraqitet në garat ndërkombëtare në konkurrencën e femrave. Kjo është hera e parë që Kosova A e femrave do të luajë në garat zyrtare.

Kosova pritet të marrë pjesë në FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla, që do të organizohet në vitin e ardhshëm në Nicosia të Qipros prej 15 deri më 20 Qershor.

Komuniteti i basketbollit e ka mirëpritur shumë mirë vendimin e Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës për formimin e Përfaqësueses A të femrave dhe pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare.

Njëra nga basketbollistet më të talentuara në Kosovë është Astera Tuhina, e cila flet për paraqitjen në garat ndërkombëtare. “Mendoj se formimi i Kosovës A të femrave është shumë i rëndësishëm sepse besoj se është një ëndërr e secilës lojtare të përfaqësoj shtetin e vet në një nivel kaq të lartë.

Mund të fitojmë përvojë të luajmë në garat ndërkombëtare dhe mund të formojmë një ekip të mirë për të përfaqësuar vendin në garat zyrtare”, ka thënë Tuhina për faqen zyrtare të FBK-së.

Në FIBA Kampionatin Evropian për Shtetet e Vogla-Femrat në vitin 2020 janë paraqitur për të garuar: Andorra, Qipro, Gjibraltari, Irlanda, Luksemburgu, Malta dhe Norvegjia, por që u anulua për shkak të pandemisë Covid-19. Regjistrimi i shteteve për pjesëmarrje në FIBA Kampionate Evropiane në FIBA Europe do të bëhet si zakonisht, pra ndërmjet muajve Shtator/Tetor 2020.

FIBA Evropa ka kërkuar nga të gjitha Federatat Nacionale që të regjistrojnë ekipet e tyre për vitin 2021, pasi regjistrimet e paraqitura për vitin 2020 nuk do të merren parasysh./kp